Tifozët e Gjilanit, ‘Skifterat’, bëjnë një gjest të mrekullueshëm

Futbolli në Kosovë ka hyrë në ditën e 60-të të pezullimit dhe vazhdon të mbetet një dilemë e madhe nëse do të vazhdojë këtë edicion ose jo.

Kurse, tifozët e Gjilanit, ‘Skifterat’, vijnë me një gjest të mrekullueshëm duke e marrë përsipër për t’ia ndërtuar një shtëpi një personit në nevojë.

Së pari, tifozët ia kanë siguruar një banesë me qira Zenun Zymberi, 64 vjeçar i cili jeton në kushte të rënda.

Më poshtë e keni postimin e plotë të ‘Skifterave’:

Fundi i tregimit në rrënoja!

Zenun Zymberi, 64 vjeçari që pushtoi këto ditë rrjetet sociale u shfaq duke jetuar në baraka, i vetëm, pa grua dhe fëmijë, pa familje!

Sot edhe ato baraka u shembën, për ta lënë në rrugë pa një kulm mbi kokë!

Duke u bazuar në ndihmën e antarëve tonë, diasporës, subjekteve afariste, njerëzve të vullnetit të mirë me dëshirën e Zotit ne marrim guximin për t’i ndërtuar një shtëpi me kushte të mjaftueshme për nevojat e bacit Zenun!

Derisa këtë ta realizojmë ne e dërguam bacin Zenun në një banesë me qira, ku e lamë të pushonte teksa na përshëndetke nga ballkoni, ndërkohë do të kujdesemi të ushqehet e vishet përderisa i siguruam edhe truallin për ndërtim ndërsa punimet do të fillojnë shumë shpejt.

Kryesia e Skifterave, e autorizon Pajtim Halilin për tubimin e mjeteve të nevojshme dhe mbikëqyrjen e realizimit të punimeve!

Respekt për të gjithë që me vetiniciativë kanë publikuar apo ndihmuar në forma të ndryshme plakun ndërsa luten të gjithë dashamirët të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi që sa më shpejt të realizojmë strehim të dinjitetshëm për bacin Zenun!