Urdhri i ri: Mund të dilni nga shtëpia vetëm 4 orë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar masa të tjera shtrënguese duke nisur nga dita e nesërme.

“Mesa duket nuk po kuptohemi siç duhet me disa që s’duan ta marrin vesh se nuk është kohë shëtitjesh. Nga nesër, dalja e këmbësorëve do të kufizohet vetëm në keto orare 06.00 – 10.00 dhe 16.00 – 18.00.

Nga nesër, do të ndalohet dalja në këmbë rrugëve me persona të tjerë në krah. Shkelja e këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë 10.000 lekë dhe me mosdhënien e asnjë ndihme shtetërore nga paketa financiare e luftës për shkelësin”, shkruan kryeministri në rrjetin social.

“Boll! Një pakicë e vogël fare individësh të papërgjegjshëm nuk mund të sabotojnë sakrificën e një populli të tërë, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të njerëzve të tjerë!

Ndjesë 1000 herë po kjo është luftë dhe s’ka asnjë rrugë tjetër! Frikë aspak, kujdes po! Me hir ose me pahir! Dielli aty do jetë prapë, ndërsa jetët e humbura nuk kthehen më”, shtoi Rama.