Vendi i parë në Evropë që po i hapë pjesërisht shkollat

Shkollat në Danimarkë, të cilat kanë qenë të mbyllura një muaj për shkak të epidemisë së koronavirusit, sot në mëngjes pjesërisht janë hapur, lajmëron agjencia France Presse.

Danimarka është vendi i parë evropian i cili i ka rihapur institucionet parashkollore dhe shkollat fillore pas vendosjes të kufizimeve më 12 mars.

Mësimi po vazhdohet në gjysmën e komunave të Danimarkë dhe 35 për qind të institucioneve në Kopenhagë.

Të tjerat kanë kërkuar më shumë kohë për përshtatje në rregullat e mbrojtjes shëndetësore.

Pritet që të gjitha institucionet parashkollore dhe shkollat fillore të rihapen deri më 20 prill.