Zyrtare: Christian Eriksen futbollist i ri i Interit

Christian Eriksen i ka thënë fjalët e para si futbollist i ri i Interit. Mesfushori danez mezi pret ta nisë eksperiencën italiane pas asaj angleze, ku ishte mjaft i suksesshëm

Christian Eriksen është bërë edhe zyrtarisht futbollist i Interit sot.

Futbollisti danez ka nënshkruar kontratë për katër vjet e gjysmë me klubin italian duke i dhënë kështu fund eksperiencës angleze me Tottenhamin.

Dhe, mesfushori kreativ i ka thënë edhe fjalët e para si futbollist “Nerazzurr”.

“Nuk më pritej të vija këtu. Të jem këtu është e bukur dhe jam i lumtur që jam një futbollist i ri i Interit. Jam mjaft i emocionuar dhe mezi pres t’i takoj tifozët. E kam pasur mudnësinë ta ndiej dashurinë dhe ngrohtësinë e tyre. Ishte një pritje fantastike. Ndihem mjaft mirë”, ka thënë fillimisht Eriksen për Inter TV.

Ai ka statistika impresionuese në eksperiencën prej gjashtë vjetësh e gjysmë në Premierligë.

“Sinqerisht, nuk jam një tip që i ndjek shumë numrat, por e di se njerëzve iu pëlqen ajo çka kam bërë në Angli. Tash ka ardhur momenti për ta nisur këtë sfidë të re. Jam mjaft i lumtur që do të mund të luaj në Serie A dhe në një klub të madh si Interi, një klub fantastik”, ka shtuar përfaqësuesi danez.

Ai ka folur edhe për trajnerin Antonio Conte, me të cilin do ta ketë mundësinë të punojë së bashku tash e tutje.

“E kam pasur mundësinë ta njihja kur isha në Tottenham dhe jemi përballur me Chelsean e tij, ishte mjaft e vështirë. Mundësia për ta njohur dhe për të mësuar se si luajnë skuadrat e tij më entuziazmon”, përfundoi futbollisti ofanziv.

Eriksen kishte kontratë me Tottenhamin deri në fund të këtij sezoni, por Spurs e shitën atë tash, për të mos e humbur pa para gjatë verës.

Flitet se futbollisti i ka kushtuar Interit afro 20 milionë euro.

Interi po e ndjek titullin e kampionit në Itali dhe Eriksen do të jetë një ndihmesë e madhe për ta arritur këtë objektiv.